75 Mall Live Search
22:44 / E Mërkurë, 10 Dhjetor 2025 / S Z

Vaksina kundër herpesit mund të ulë rrezikun e demencës dhe të ngadalësojë përparimin e saj

Hulumtimet e viteve të fundit kanë treguar një lidhje të mundshme midis marrjes së vaksinës kundër herpes zoster dhe një rreziku më të ulët për zhvillimin e demencës.

Një studim i publikuar në shkurt 2024 konfirmoi këtë lidhje duke analizuar të dhënat e studimeve të mëparshme dhe duke gjetur se personat që kishin marrë vaksinën kundër herpes zoster kishin një rrezik më të ulët për demencë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Në prill të vitit 2025, një studim tjetër raportoi se individët që morën vaksinën kishin rreth 20% më pak gjasa të zhvillonin demencë gjatë shtatë viteve pasuese. Ky zbulim tregoi se vaksina, përveç parandalimit të herpesit zoster mund të ketë një efekt mbrojtës edhe ndaj funksionit njohës.

Së fundmi, një studim pasues, i botuar në revistën “Cell”, sugjeron se marrja e vaksinës kundër herpesit mund të jetë e dobishme edhe për personat që tashmë jetojnë me një diagnozë demence.

Sipas këtij studimi, vaksina mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes, duke ndikuar pozitivisht në ritmin me të cilin demenca përkeqësohet me kalimin e kohës.

Edhe pse mekanizmat e sakta nuk janë ende plotësisht të kuptuar, studiuesit dyshojnë se parandalimi i riaktivizimit të virusit herpes zoster dhe zvogëlimi i proceseve inflamatore që lidhen me të mund të luajnë rol në mbrojtjen e trurit.

Këto rezultate ngrenë mundësinë që vaksinimi kundër herpesit të ketë përfitime neurologjike më të gjera, por kërkohet më shumë hulumtim për të vërtetuar plotësisht këtë lidhje dhe për të kuptuar saktësisht se si vaksina mund të ndikojë në shëndetin e trurit në afat të gjatë.