75 Mall Live Search
18:13 / E Enjte, 11 Dhjetor 2025 / H F

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, reagon Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Klodian Braho u zgjodh kreu i ri i SPAK-ut.

Me anë të një postimi në “X”, Rama u shpreh se “SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”.

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”, lexohet në postimin e kreut të qeverisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votim të hapur për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme për 3 vitet e ardhshme. Klodian Braho mori 7 vota nga 11 anëtarët të KLP, kandidati tjetër Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori vetëm një votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Braho pason në detyrë Altin Dumanin dhe do të qëndrojë nga data 19 dhjetor për tre vitet e ardhshme në krye të këtij institucioni.