75 Mall Live Search
22:33 / E Enjte, 11 Dhjetor 2025 / Gj Sh

FFK i bashkohet iniciativës globale të OKB-së “Football for the Goals”

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar sot se zyrtarisht i është bashkuar iniciativës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, “Football for the Goals”, një platformë ndërkombëtare që synon të shfrytëzojë fuqinë e futbollit për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit.

Sipas FFK-së, anëtarësimi në këtë nismë i hap rrugë mundësive të reja për projekte dhe bashkëpunime që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në komunitetin kosovar. Federata theksoi se futbolli, si sporti më masiv dhe më i ndjekur në vend, mund të shndërrohet në një instrument të fuqishëm për ndryshime shoqërore.

Përmes platformës “Football for the Goals”, FFK synon të zhvillojë iniciativa që lidhen me edukimin, përfshirjen sociale, fuqizimin e të rinjve, si dhe fushata që promovojnë mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e vlerave demokratike.

Ky hap e pozicionon Kosovën në mesin e federatave që kontribuojnë në objektivat globale të zhvillimit të qëndrueshëm, duke e përdorur futbollin si mjet për të sjellë ndryshime pozitive brenda dhe jashtë fushës.