Shmangeni rrugën kryesore pasdite pranë Ambasadës amerikane, zhvillohet ushtrimi i forcave të rendit
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Ambasadën amerikane në Prishtinë, ka njoftuar se sot, të premten më 12 dhjetor, nga ora 15:00 deri në 21:00, do të realizohet një ushtrim i gjerë reagimi ndaj krizave në Prishtinë, përfshirë zonën pranë objektit të Ambasadës amerikane në lagjen “Arbëria”.
Sipas njoftimit zyrtar, ushtrimi ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe testimin e kohës së reagimit, efektivitetit dhe koordinimit ndërmjet njësive policore, institucioneve relevante dhe personelit të sigurisë së Ambasadës amerikane në situata emergjente.
Gjatë ushtrimit pritet prani e shtuar e Policisë së Kosovës, si edhe përdorimi i sirenave, altoparlantëve dhe mjeteve të ndryshme logjistike policore. Autoritetet sqarojnë se bëhet fjalë vetëm për një ushtrim dhe jo për ndonjë incident real.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve, sidomos pjesëmarrësve në trafik, që të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës amerikane në “Arbëri”, për shkak të ndërprerjes së përkohshme të disa segmenteve rrugore gjatë zhvillimit të ushtrimit.
Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192, përmes emailit info@kosovopolice.com ose duke ndjekur faqet zyrtare të Policisë së Kosovës./IndeksOnline/

