Emrat/ Policia jep detaje: Si u lirua pengu nga Mitrovica në Vlorë, 3 të arrestuar
Policia e Vlorës ka arrestuar tre presona të dyshuar se mbajtën peng dhe dhunuan një shtetas nga Kosova, me qëllim përfitimin e 70 000 eurove.
Të arrestuarit janë Julian Zogaj, Orest Çorapaj dhe Vilson Agaj, ndërsa gjatë aksionit iu janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të policisë.
“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin Fisnik Xhaka, 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij”, njofton policia.
Policia e Vlorës ndërmori aksionin për lirimin e pengut pas marrjes së informacionit nga familjarët se një pjesëtar i familjes së tyre mbahej peng në një apartament në Vlorë.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor si edhe kapja në flagrancë e shtetasve: J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, thuhet në njoftim.

