Kapen në flagrancë, duke shitur substanca narkotike, arrestohen dy burra dhe një grua në Pejë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy burra dhe një grua në Pejë, nën dyshimin për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti ka ndodhur më 15 dhjetor rreth orës 16:00, në rrugën “Mbreti Zog”.
Të dyshuarit janë kapur në flagrancë, duke shitur substanca narkotike.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në tri lokacione të lidhura me të dyshuarit, policia ka sekuestruar 2.2 gramë marihuanë, 0.4 gramë kokainë, si edhe para të gatshme në vlera të ndryshme: 760 euro, 150 franga zvicerane, 100 dollarë amerikanë dhe 100 kruna suedeze.
Po ashtu, janë konfiskuar dy telefona mobilë, dy vetura, disa kartela bankare dhe një mulli që dyshohet se është përdorur për përpunimin e substancave narkotike.
Me vendim të prokurorit të rastit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.

