Ambasada e SHBA-së uron majoren Mehmeti–Quigley
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar majoren e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti–Quigley, për diplomimin e saj në sesionin e 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Virxhinia.
Ambasada ka bërë të ditur se majorja Mehmeti–Quigley është bërë oficerja e dhjetë nga Kosova që përfundon këtë program prestigjioz, i cili konsiderohet ndër trajnimet më elitare për zyrtarët e zbatimit të ligjit në nivel global.
Ambasada theksoi se ky sukses është mbështetur përmes programeve DOJ-ICITAP dhe FBI LEGATT Sofia, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Në mesazhin e saj, Ambasada e SHBA-së ka shprehur urime për majoren Mehmeti–Quigley dhe ka ritheksuar përkushtimin për ndërtimin e institucioneve të sigurisë më të sigurta dhe më të forta në Kosovë.

