75 Mall Live Search
11:04 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / b l

E ardhmja e Vinicius Jr-it mbetet në dilemë, Reali përgatit “Planin B”

E ardhmja e Vinicius Junior-it te Real Madridi vazhdon të jetë e paqartë, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të lojtarit për përkushtimin e tij ndaj klubit madrilen.

Negociatat për rinovimin e kontratës ende nuk janë finalizuar, për shkak të kërkesave të larta financiare të brazilianit.

Sipas medieve spanjolle, Vinicius kërkon një pagë shumë të lartë dhe një bonus nënshkrimi, kërkesa që bien ndesh me politikën aktuale financiare të Real Madridit, i cili po tregohet i kujdesshëm për të shmangur teprimet ekonomike me pasoja afatgjata.

Edhe pse në dukje është vetëm çështje kohe për arritjen e një marrëveshjeje, drejtuesit e klubit në “Santiago Bernabeu” nuk e kanë përjashtuar plotësisht mundësinë e largimit të Viniciusit, në rast se kushtet e tij nuk përmbushen.

“Më është thënë se kontrata e Vinicius është rinovuar dhe se nuk do të njoftohet për disa javë apo muaj. Është një marrëveshje e kryer dhe do të bëhet publike kur të vijë koha e duhur. Ai hoqi dorë nga bonusi i nënshkrimit sepse klubi nuk e pranoi. Ajo që Real Madridi nuk do ta bëjë është të humbasë mundësinë për të shitur një lojtar të nivelit të lartë”, ka shkruar gazetari i njohur Eduardo Inda.

Inda shtoi gjithashtu se nëse Vinicius largohet, Real Madridi ka gati “Planin B”, i cili është sulmuesi i Athletic Club, Nico Williams.

“Real Madridi po shqyrton nënshkrimin e një lojtari që ka qenë madrilen që nga lindja: Nico Williams. Ai gjithmonë ka dashur të luajë për Real Madridin. Është madrilen në zemër. Informacioni im është se Vinicius ka rinovuar kontratën dhe nëse largohet, një lojtar që klubi e pëlqen shumë është Nico Williams,” u shpreh Inda.

Nico Williams, i cili së fundmi refuzoi një ofertë nga FC Barcelona për të vazhduar me Athletic Club-in, shihet si një profil ideal për të zëvendësuar Viniciusin në rast të një largimi të bujshëm nga “Los Blancos”.