Kosova nis ankandin e parë për energji me erë, synon rritje të prodhimit vendor
Mbahet ceremonia e promovimit zyrtar të kërkesës për propozime për ankandin e parë konkurrues për energji me erë deri në 100 MW, një proces që synon rritjen e prodhimit vendor të energjisë, uljen e varësisë nga importi dhe sigurimin e çmimeve më të përballueshme përmes konkurrencës.
Në këtë ceremoni u tha se ankandi për energjinë e erës paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe pavarësisë energjetike të Kosovës, si dhe drejt përmbushjes së objektivave strategjike për rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në sistemin energjetik të vendit.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se përmes këtij ankandi pritet të nxitet prodhimi vendor dhe të sigurohet energji më e përballueshme si rezultat i konkurrencës mes kompanive të kualifikuara.
Ajo theksoi se me publikimin e kërkesës për propozime po avancon ankandi i parë për energji me erë, një proces konkurrues për kapacitete të synuara deri në 100 MW me skemë mbështetëse 15-vjeçare.
“Ky ankand do të thithë më shumë prodhim vendor, më pak varësi nga importi dhe çmim të energjisë më të përballueshme që rrjedh nga konkurrenca e drejtë në mes të kompanive që tani janë kualifikuar… Sot, me publikimin e kërkesës për propozime, e çojmë përpara edhe ankandin e parë të erës, një proces konkurrues për kapacitet të synuar deri në 100 MW me skemë mbështetëse 15-vjeçare. Çfarë e bën këtë projekt të rëndësishëm për Kosovën, e para është se burimet e erës na ndihmojnë pikërisht aty ku kemi nevojë më shumë, në orët e mbrëmjes dhe në muajt e ftohtë kur kërkesa për energji rritet, pra profili i prodhimit nga era përputhet mirë me profilin tonë të konsumit si vend. Prandaj kjo nuk është vetëm energji e pastër, por energji shumë e dobishme për sigurinë tonë energjetike dhe pavarësinë tonë energjetike. Së dyti, Kosova ka një potencial real në këtë fushë, rreth 17 për qind e territorit të vendit ka erë të qëndrueshme mbi 6 metra për sekondë dhe në zona malore shpejtësia shkon deri në 8 metra për sekondë, që janë kushte optimale për zhvillim të kapaciteteve të erës mbi mesataren e vendeve evropiane”, tha ajo.
I ngarkuari me punë në Ambasadën gjermane në Prishtinë, Christian Böttcher, vlerësoi se ankandi i erës i promovuar sot, së bashku me një tender të dytë të planifikuar, do të japë kontribut të konsiderueshëm në arritjen e këtyre qëllimeve dhe në mobilizimin e investimeve private, duke u bazuar edhe në përvojën pozitive të ankandit të parë diellor të Kosovës.
“Strategjia energjetike e Kosovës përcakton objektiva ambicioze për rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme deri në vitin 2031, dhe energjia e erës dhe ajo diellore do të luajnë një rol qendror në arritjen e këtyre objektivave. Ankandi i erës i promovuar sot, së bashku me një tender të dytë të planifikuar, do të japë një kontribut të konsiderueshëm në këto qëllime dhe do të ndihmojë në mobilizimin e investimeve të mëdha private në vend. Dhe kjo bazohet në përvoja pozitive. Ankandi i parë diellor i Kosovës vitin e kaluar dëshmoi se proceset konkurruese mund të japin rezultate të forta. Tani pres me padurim të shoh që si panelet diellore ashtu edhe turbinat e erës të kalojnë nga planifikimi në ndërtim. Po ashtu, duhet ta pranoj se jam vërtet i mahnitur nga kjo teknologji moderne dhe më pëlqen ta shoh në veprim”, tha ai.
Böttcher theksoi rëndësinë e qartësisë afatgjatë të politikave energjetike dhe nënvizoi se Gjermania pret që përkushtimi i Kosovës ndaj transicionit të gjelbër energjetik të mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm pavarësisht cikleve politike.
“Duke parë përpara, qartësia afatgjatë e politikave mbetet thelbësore. Instrumente të tilla si plani kombëtar i energjisë dhe klimës dhe strategjia e dekarbonizimit janë kyçe për të ofruar parashikueshmëri për investitorët dhe institucionet njësoj. Dhe me zgjedhjet që po afrohen për më pak se dy javë, më lejoni të nënvizoj shumë qartë një pikë. Gjermania pret që përkushtimi i Kosovës ndaj transicionit të gjelbër energjetik të mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm, pavarësisht cikleve politike dhe se cila parti do të formojë koalicione dhe do të udhëheqë qeverinë. Jam veçanërisht i kënaqur që Gjermania e ka mbështetur drejtpërdrejt edhe këtë ankand të erës, duke kontribuar me 800 mijë dollarë amerikanë për IFC-në për disenjimin teknik dhe strukturimin e procesit. Më lejoni ta përfundoj duke ju uruar të gjithëve shumë sukses me këtë ankand”, tha ai.
Përfaqësuesi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC) për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani, tha se ky është një projekt i veçantë dhe se bëhet fjalë për herën e parë që Kosova realizon një ankand për energji me erë, të cilin e cilësoi si relativisht kompleks, por të provuar në shumë vende të botës.
“Është diçka e veçantë që ka ndodhur, përpara është hera e parë që kemi një ankand me erë, një projekt relativisht kompleks, por që e kemi parë në shumë vende të botës dhe pse mos ta bëjmë edhe në Kosovë. Projekti është deri në 150 MW, kemi tre konkurrentë që do të ofrojnë. Do të ketë oferta të shkëlqyera. Ky projekt është ndër projektet më të mëdha infrastrukturore”, tha ai.
Ndërkaq, udhëheqësja e njësisë për zbatimin e projekteve nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), Besiana Qorraj-Berisha, prezantoi projektin dhe detajet e kërkesës për propozime, duke shpjeguar fazat dhe elementet kryesore të procesit konkurrues.

