75 Mall Live Search
15:30 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / AR

Adeyemi do largohet nga Dortmund, arsyeja Loredana?

E ardhmja e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi te Borussia Dortmund po bëhet gjithnjë e më e paqartë, edhe pse ai është i lidhur me klubin verdhezi me kontratë deri në vitin 2027. Mediat gjermane raportojnë se prej kohësh kanë ekzistuar diskutime për një largim të mundshëm, ndërsa së fundmi situata ka marrë një zhvillim të ri.

Sipas mediumit prestigjioz BILD, Adeyemi i ka komunikuar drejtuesve të Dortmundit dëshirën e tij për të lënë klubin. Vendimi i sulmuesit lidhet kryesisht me arsye personale. Raportohet se partnerja e tij, këngëtarja me origjinë nga Kosova, Loredana Zefi, preferon të jetojë në një metropol të madh evropian dhe jo në Dortmund.

Pas këtyre zhvillimeve, Adeyemi ka nisur të përgatisë terrenin për një largim të mundshëm. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai ka ndryshuar agjent dhe ka filluar bisedime për rishikimin e kushteve të kontratës, çka mund të lehtësojë një transferim në të ardhmen e afërt.

Vlera aktuale e Adeyemit në tregun e transferimeve vlerësohet rreth 60 milionë euro, ndërsa interesimi për të mbetet i lartë. Emri i tij është lidhur me disa nga klubet më të mëdha evropiane, si Barcelona, Manchester United dhe Juventus, të cilat po ndjekin nga afër situatën.

Nga ana tjetër, Borussia Dortmund pritet të analizojë me kujdes çdo ofertë që mund të vijë, ndërsa vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e sulmuesit gjerman pritet të merret gjatë afatit të ardhshëm kalimtar.