75 Mall Live Search
12:52 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / H F

Drejtësi dhe partneritet: Hargreaves viziton kryetarin e Supremes, rithekson mbështetje për reformën gjyqësore

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vizituar sot kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, me të cilin kanë diskutuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rolin e Supremes në këtë proces.

Rexhepi e ka njoftuar Hargreaves-in se të gjitha ankesat kundër PZAP-së janë trajtuar dhe vendosur brenda afateve ligjore.

“Kryetari Rexhepi e njoftoi ambasadorin për rolin e Gjykatës Supreme në proceset zgjedhore, duke bërë me dije se të gjitha ankesat administrative të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për zgjedhjet e fundit lokale, janë trajtuar dhe vendosur brenda afateve ligjore. Në këtë mënyrë është garantuar trajtimi i barabartë i të gjithë ankuesve. Po ashtu, të gjitha vendimet janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme, duke reflektuar transparencë të plotë institucionale. Kreu i Supremes shprehu bindjen se edhe në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit, do të ketë një proces të drejtë dhe demokratik, për të cilin po kontribuon edhe Gjykata Supreme, përmes vendosjes së drejtë dhe trajtimit me kohë të ankesave”.

Ndërsa, Hargreaves e ka vlerësuar rolin e Supremes dhe e ka falënderuar Rexhepin për punën. Ai ka ritheksuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për Supremen dhe gjithë sistemin gjyqësor.

“Ambasadori Hargreaves, duke vlerësuar rolin e Gjykatës Supreme në këtë proces, e falënderoi kryetarin për punën dhe ritheksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për Gjykatën Supreme dhe gjithë sistemin gjyqësor. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për iniciativat për trajnime dhe shkëmbim përvojash, përfshirë bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë”.