KEK-u “lëshon pe” – licencat e Microsoft-it i kushtojnë afro 300 mijë euro
Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë një shpenzim “simbolik” për fundvit.
Kompjuterëve të KEK-ut tani do t’i funksionojë më mirë pakoja e Microsoft-it, pasi është nënshkruar kontrata për blerjen e licencës së këtij gjiganti softuerik, shkruan IndeksOnline.
Aktiviteti i prokurimit, që u iniciua që në gusht, u vulos dje me nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 296 mijë e 723 euro e 11 centësh.
Tenderi iu dha kompanisë “Infosoft Systems”, vlerësuar si tenderi me çmimin më të ulët.
Pa u ndarë detaje se sa është kohëzgjatja e kësaj kontrate, KEK-u veçse kishte parashikuar që kontrata të arrijë vlerën e 396 mijë eurosh – atëherë kur ishte shpallur tenderi.
Në thirrjen e tenderit ishte bërë me dije se nevoja për këto licenca është e vazhdueshme dhe kritike për operimin e sistemeve teknologjike, që mbështesin funksione thelbësore të korporatës.
“Duke qenë se produktet në fjalë janë të natyrës së licencimit elektronik dhe të përdorshme menjëherë pas dorëzimit, çdo vonesë shtesë rrit rrezikun për ndërprerje në punën e njësive që varen nga to (p.sh. qasja në sisteme, përpunimi i të dhënave, monitorimi, raportimi etj.). Për këto arsye, DTI-ja rekomandon që aktiviteti i prokurimit të përsëritet në mënyrë urgjente dhe me përparësi, duke u bazuar në rregullat përkatëse ligjore që lejojnë veprim të përshpejtuar kur ka arsye të justifikuara teknike dhe operacionale”, thuhet në thirrjen e tenderit./IndeksOnline/

