“Dividendi i luftëtarit”, Trump i jep çdo ushtari amerikan nga 1776 $, shuma simbolike që përkon me vitin e pavarësisë
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar dhënien e një pagese të posaçme prej 1776 dollarësh për rreth 1,45 milionë pjesëtarë të forcave të armatosura të SHBA-së, të cilën e quajti “warrior dividend”, “dividendi i luftëtarit”.
Njoftimi u bë gjatë një fjalimi televiziv 18-minutësh drejtuar kombit, ku Trump deklaroi se çeqet “janë nisur tashmë” dhe pritet të mbërrijnë përpara Krishtlindjeve.
Shuma përkon me vitin 1776, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën pavarësinë nga Britania e Madhe, shkruan A2 CNN-i.
Sipas presidentit, fondi total prej 2,57 miliardë dollarësh do të financohet pjesërisht nga tarifat doganore dhe nga ligji i njohur si “One Big, Beautiful Bill”, i nënshkruar më 4 korrik, datën e shpalljes së pavarësisë. Pagesa, tha Trump, jepet “në nder të themelimit të kombit në vitin 1776”, duke theksuar se “askush nuk e meriton më shumë se ushtria jonë”.
Në fjalimin e tij, Trump vuri theksin te bilanci ekonomik i administratës dhe përpjekjet për uljen e çmimeve, duke fajësuar demokratët dhe ish-presidentin Joe Biden për rritjen e kostos së jetesës. Ai pretendoi se çmimet po bien me shpejtësi, megjithëse të dhënat ekonomike tregojnë se inflacioni në shtator arriti në 3% dhe besimi i konsumatorëve ka rënë./Indeksonline/

