Tolaj premton përmirësim të mirëqenies për policët dhe ushtarët
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Arber Tolaj, ka premtuar angazhim të drejtpërdrejtë për përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të policëve dhe ushtarëve të Kosovës, duke theksuar se ata janë shtylla kryesore e funksionimit të shtetit.
Tolaj deklaroi se AAK-ja do të angazhohet për paga më të mira, kushte më dinjitoze të punës dhe sigurime shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ndonëse policët dhe ushtarët janë forca e një shteti, ata u lanë në harresë. Në mungesë të përkrahjes 2.200 policë lëshuan vendin e tyre të punës që nga themelimi i saj, kurse për 3 vjetët e fundit mbi 500 ushtarë e lanë FSK-në. Ne si AAK, këtë situatë e trajtojmë si alarmante dhe do të angazhohemi për mirëqenie më të mirë ekonomike për policët e ushtarët tanë, por edhe për sigurime shëndetësore për ta, ngase ata janë shtyllë e shtetit”, ka shkruar Tolaj.

