Dumani i SPAK-ut, që luftoi krimin e korrupsionin në Shqipëri, vjen në Kosovë – britanikët konfirmojnë angazhimin e tij
Altin Dumani nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në Shqipëri, i cili është në përfundim të mandatit të tij meqë në krye të SPAK-ut tashmë është zgjedhur Klodjan Braho, ka ardhur në Kosovë për t’u angazhuar.
Ambasada britanike, duke konfirmuar këtë, tha se një ekip i ambasadës është takuar sot me Dumanin, i cili në vend erdhi me synimin për shkëmbim të njohurive e përvojës me institucionet e drejtësisë së Kosovës.
“Jam i kënaqur që ekipi ynë u takua sot me Altin Dumanin, shefin e SPAK-ut, dhe për të diskutuar lehtësimin, në të ardhmen e afërt, të shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe përvojës profesionale me institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës. Ky angazhim, i mbështetur përmes projektit tonë, thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit praktik në forcimin e sundimit të ligjit”, tha ambasada.
Dumani udhëhoqi SPAK-un për tre vjet dhe kryesoi operacione kundër krimit e korrupsionit që vunë në pranga zyrtarë të lartë shtetërorë në Shqipëri.

