Mbetjet mortore të 8 personave mund të ndodhen në vendin e gërmuar më herët nga UNMIK-u
Kanë hyrë në ditën e tretë kërkimet në një lokacion në Rahovec, ku deri më tash janë gjetur mbetjet mortore të një individi si dhe disa pjesë kockore që kanë mbetur të verifikohen.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, theksoi se tetë persona nga lista e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë mund të jenë në lokacionin e quajtur Përzhina.
“Po flasim për verën e vitit 1998 ku forcat serbe në krimet e përmasave te kryera ndaj popullatës shqiptare në përpjekjen e tyre të fshehtë të gjurmëve të krimit kufomat e më shumë se 40 viktimave kanë varrosur në përpjekjen e tyre të fshehtë të krimit në këtë zonë. Rasti në fjalë ose zona në fjalë ose lokacioni në ditët e para të pasluftës, në bazë të dhënave që kemi siguruar që potencoi Hoti, është trajtuar nga ekipet e mjekeve ligjore gjermane të cilët kanë qenë në mbështetje të ish-Tribunalit të Hagës. Megjithatë, në shqyrtimin e hollësishëm të gjitha këtyre të dhënave, ne kemi konkluduar që jo të gjitha mbetjet mortore ose kufomat e viktimave që janë groposur ose varrosur nga forcat serbe nga ky lokacion është arritur të zhvarrosen gjatë këtyre proceseve të gërmimit, fillimisht po flasim për verën 1999… Një gërmim që pastaj ka pasuar nga ekipet mjeko- ligjore të administratës së UNMIK-ut të vitit 2002 dhe së fundi ka qenë diku në vitin 2007, dhe në të gjitha këto gërmime nuk është arritur të trajtohet tërësi hapësirash zona të shënuara siç ka qenë me interes këtë rast. Ne kemi konkluduar gjatë këtyre gërmimeve që janë zhvarrosur 36 viktima që rrjedhimisht janë të paktën minimumi edhe të 8 personave në bazë të shënimeve që ne kemi, 5 të cilët janë në listën e personave të zhdukur potencialisht mund të jenë në këtë lokacion”, tha ai.
Ndërsa Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, theksoi se mbetjet mortore do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore.
“Sot është dita e tretë që po punojmë në këtë lokacion. Deri më tani kemi gjetur mbetjet mortore të një individi si dhe disa pjesë kockore që kanë mbetur të verifikohen… Tani do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore, përkatësisht autopsisë, marrjes së mostrës për identifikim dhe pastaj do të presim për rezultatet… Ky është një lokacion i cili është punuar në të kaluarën nga Tribunali i Hagës, nga ekipet e UNMIK-ut… Ky numër është deri në tetë, nuk mund ta saktësojmë, mund të jetë edhe më i vogël”, tha ai.
Andin Hoti, kryetar i Komisionit për të Pagjeturit, u shpreh se Kosova nuk do të ndalet në kërkimin e 1570 personave të zhdukur.
Ai akuzoi Serbinë për refuzim të arkivave dhe për moszbatim të marrëveshjes së Brukselit për personat e zhdukur, pavarësisht se ajo është aprovuar prej saj.
“Dhe janë edhe 27 identifikime me rezultate te ADN-së ….. Unë e kamë thënë disa herë dhe do vazhdoj ta përsëris, nuk po ua them juve, por Serbisë që pavarësisht që ata mundohen të bëjnë në vazhdimësi qoftë në Bruksel… Kosova nuk ndalet, sepse e ka një detyrim moral për t’i gjetur 1570 persona në listën e personave të zhdukur. Nuk mund të na ndalin arkivat. Ata po refuzojnë të na i japin pavarësisht se ju e dini që në Bruksel ne kemi marrë pjesë përafërsisht 5 vjet dhe pothuajse e vetmja marrëveshje e arritur në Bruksel është marrëveshja apo deklarata për personat e zhdukur të cilën Serbia e ka aprovuar dhe refuzuar zbatimin e saj”, tha ai.
Çështja e personave të zhdukur me dhunë në Kosovë mbetet një nga plagët më të rënda të pasluftës. Pavarësisht gërmimeve të kryera ndër vite nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, shumë lokacione dyshohet se ende fshehin mbetje mortore të viktimave të krimeve të luftës.

