Zjarri në Prizren, digjen 6 lokale pranë Stacionit të Autobusëve
Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmë një qendër tregtare pranë Stacionit të Autobusëve në Prizren, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Zjarri shpërtheu pas orës 23:00 në qendrën e njohur si “Te Shtrumfat”.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë intervenuar njësitë e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë punuar gjatë gjithë natës për ta vënë zjarrin nën kontroll. Flakët janë lokalizuar në orët e hershme të mëngjesit.
Si pasojë e zjarrit, gjashtë lokale janë djegur plotësisht dhe janë bërë të papërdorshme.
Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa sot po vazhdojnë punimet për ftohje dhe sigurim të zonës.


