Drejtori i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit rreshtohet hapur krah Haradinajt
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit, me seli në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Arianit Shehu, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për Ramush Haradinajn dhe vizionin e tij për Kosovën.
Në një postim të drejtpërdrejtë, Shehu i cilëson zgjedhjet e ardhshme si vendimtare për orientimin strategjik të Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë vetëm një proces formal demokratik, por një moment reflektimi për sakrificat që sollën lirinë, shtetin dhe të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen.
“Ramush Haradinaj dhe familja e tij janë simbol i qëndresës, guximit, lirisë, shtetit dhe ushtrisë sonë”, ka shkruar Shehu, duke ftuar qytetarët që të votojnë me përgjegjësi dhe me respekt për të kaluarën, për një Kosovë më të fortë dhe të sigurt.
Ai thekson qartë orientimin strategjik që, sipas tij, i duhet Kosovës: aleancë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësim në NATO dhe integrim në Bashkimin Evropian.
Arianit Shehu është një emër i njohur në fushën e sigurisë dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Për më shumë se 25 vjet ai ka qenë i angazhuar edhe me National Democratic Institute (NDI), duke udhëhequr programe amerikane në mbi 15 shtete, nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme, me fokus në forcimin e proceseve demokratike dhe pjesëmarrjes qytetare.
Mbështetja e tij shihet si një sinjal i fortë politik dhe strategjik në prag të zgjedhjeve, duke e vendosur Ramush Haradinajn si figurë të besueshme për partnerët perëndimorë dhe për orientimin euroatlantik të Kosovës.

