Zjarri dëmton QMF-në në Ratkoc, digjet një autoambulancë – një i dyshuar në kërkim
Një incident zjarri është shënuar në orët e para të mëngjesit në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), përfshirë edhe djegien e një autoambulance.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se rreth orës 02:40 është pranuar një raport për zjarr në ambientet e QMF-së në Ratkoc.
Sipas tij, policia dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa flakët kishin përfshirë dhe shkatërruar një autoambulancë të kësaj qendre shëndetësore.
“Përveç autoambulancës, dëme materiale janë shkaktuar edhe në objektin e QMF-së. Zjarri është vënë nën kontroll në kohë dhe fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar”, ka deklaruar Elezaj.
Ai shtoi se, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është cilësuar si “zjarrvënie”, ndërsa Policia është duke hetuar dhe kërkuar një person të dyshuar.

