Lushaku-Sadriu: Rënia e numrit të studentëve, dështim i madh shtetëror
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka reaguar ashpër lidhur me rënien e numrit të studentëve në Kosovë, duke e cilësuar këtë situatë si një “dështim të madh shtetëror”.
Përmes një postimi ne facebook, ajo ka theksuar se brenda pesë viteve të fundit Kosova ka humbur rreth 30 mijë studentë, duke rënë nga 95 mijë në vetëm 64 mijë studentë aktivë.
Sipas saj, kjo nuk është thjesht statistikë, por alarm serioz për gjendjen e arsimit të lartë dhe të ardhmen e vendit.
“Migrimi është pasojë direkte e mungesës së vizionit, planifikimit dhe politikave serioze shtetërore. Një qeveri që nuk krijon perspektivë për të rinjtë, i shtyn ata të ikin. Një qeveri që nuk investon në arsim cilësor, po prodhon largim, jo zhvillim.Më shqetësuese se rënia e numrave është mungesa totale e reagimit institucional. Asnjë plan për arsimin e lartë. Asnjë strategji për avancim të stafit akademik. Asnjë orientim i qartë se ku po shkon sistemi arsimor i Kosovës”, ka shkruar Lushaku-Sadriu./IndeksOnline/

