Ky është personi i dyshuar për plagosjen në Pejë
Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e fundit në lagjen “Jarina” në qytetin e Pejës, ku një person ka mbetur i plagosur.
Rastin e ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se autoritetet janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas burimeve të Indeksonline, i dyshuari për këtë rast është Brendon Ajazaj. Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se personi i plagosur është Uliks Ferizi, një emër i njohur për organet e rendit për raste të mëhershme.
Pas incidentit, i plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht. Njësitë policore kanë siguruar zonën dhe kanë nisur mbledhjen e provave materiale që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka nisur hetimet për të sqaruar motivin e ngjarjes, si dhe për të verifikuar të gjitha rrethanat që çuan në këtë incident.

