24-shi i LVV-së, Hysen Durmishi paralajmëron: Më 24 dhjetor, në orën 16:00, ndriçohet ura e re në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës -Jug, Faton Peci, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë publikuar një video nga ura e re për këmbësorë në Mitrovicë, e ndërtuar mbi lumin Ibër. Në postimin e tij, Peci ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e Durmishit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si të jashtëzakonshëm.
Ai ka përmendur disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prishtinë–Mitrovicë, si edhe urat që lidhin qytetin e Mitrovicës, duke theksuar ndikimin pozitiv të tyre për qytetarët.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili është edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe garon me numrin 24 në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka dhënë lajmin se më 24 dhjetor, me fillim nga ora 16:00, do të ndizet ndriçimi i urës së re për këmbësorë, e cila sapo ka përfunduar.
Durmishi ka ftuar qytetarët e Mitrovicës që të marrin pjesë dhe ta shijojnë këtë moment të veçantë, duke e cilësuar urën si një “perlë” të ndërtuar mbi lumin Ibër.

