75 Mall Live Search
09:30 / E Mërkurë, 24 Dhjetor 2025 / H F

Mekanizëm i ri nominimesh, cilët janë banorët që shkuan në televotim?

Një mekanizëm i ri dhe i papritur nominimesh ka sjell tension dhe dinamika të reja në edicionin e pestë të “Big Brother VIP”, duke ndryshuar rrjedhën klasike të lojës dhe duke vënë përballë njëri-tjetrit banorët që prej hyrjes së tyre të parë në shtëpi.

Në qendër të këtij mekanizmi ishte një ruletë, përpara së cilës u vendosën katër banorët e rinj. Fati i ndau rolet qartë: dy prej tyre do të kishin në dorë shpëtimin e banorëve, ndërsa dy të tjerët do të vendosnin për nominimet. Ky proces solli vendime të shpejta, por jo pa arsye personale dhe tensione të akumuluara.

Juxhini dhe Stenaldo u përballën me zgjedhjen për të shpëtuar nga nominimi dy banorë. Juxhini vendosi të shpëtonte Brikenën, një zgjedhje që u interpretua si afërsi dhe mirëkuptim mes tyre, ndërsa Stenaldo zgjodhi të shpëtonte Ilirin, duke i dhënë atij një avantazh të rëndësishëm në këtë fazë të lojës.

Ndërkohë, roli më i vështirë i ra Juelës dhe Armelës, të cilat duhej të çonin dy banorë në nominim. Armela zgjodhi Lornën, vendim që erdhi pas debatit të fortë mes tyre që në ditët e para të bashkëjetesës. Nga ana tjetër, Juela vendosi të nominonte Kristin, duke u shprehur se nuk ishte ndier e mirëpritur prej tij dhe se raporti mes tyre kishte nisur me distancë.

Por loja nuk mbaroi këtu. Lorna dhe Kristi, tashmë të nominuar, u përballën edhe ata me një zgjedhje vendimtare: secili duhej të zgjidhte nga një banor tjetër për ta çuar në nominim. Kristi zgjodhi Senon, ndërsa Lorna vendosi të nominonte Selin, duke kompletuar kështu listën e katër të nominuarve.

Tashmë, Seli, Seno, Kristi dhe Lorna janë në televotim dhe njëri prej tyre do të lërë shtëpinë të shtunën e ardhshme. Ky mekanizëm i ri jo vetëm që ka shtuar tensionin dhe strategjitë brenda shtëpisë, por ka nxitur edhe reagime të forta nga publiku, duke e bërë javën në vijim vendimtare për fatin e lojës.