Aksident në rrugën Mitrovicë–Leposaviq, lëndohen dy zyrtarë policorë
Më 24.12.2025, rreth orës 09:23, Policia e Kosovës është informuar për një aksident trafiku në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudar.
Fillimisht, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë- Jug, për arsye se thirrja telefonike kishte kaluar në drejtorinë e tyre. Ata i janë përgjigjur thirrjes, ku në atë lokacion kanë dalë gjithashtu njësitë e zjarrfikësve si edhe stafi mjekësor emergjent nga qyteti i Mitrovicës së Jugut.
Më pas, për shkak se kjo zonë i përket zonës së përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë-Veri, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti rajonal i trafikut rrugor Mitrovicë-Veri, stafi mjekësor dhe zjarrfikësit nga zona e përgjegjësisë së Mitrovicës së Veriut.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një automjet civil me targa vendore dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës.
Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar pesë (5) persona, tre (3) nga automjeti civil dhe dy (2) zyrtarë policorë, të cilët janë duke marrë trajtim mjekësor.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Policia e Kosovës u apelon të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve dhe të respektojnë rregullat e trafikut.

