KOSTT: 4 blloqe prodhojnë energji 800 megavat në orë, konsumi shkon në 1400
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është duke operuar me katër blloqe të cilat prodhojnë diku rreth 800 megavat orë, ndërsa konsumi brenda ditës së sotme është 1 mijë e 400 megavat orë. Kështu tha Shaban Neziri nga KOSTT, në konferencën për media e cila u thirr për të treguar rreth situatës me energji për sezonin e dimrit.
Neziri u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që energjinë ta shpenzojnë energjinë në mënyrë sa më racionale, në mënyrë që furnizimi të jetë i garantuar për të gjithë.
“Për situatën aktuale ekipet tona të mirëmbajtjes dhe operimit janë të mobilizuara 24/7 dhe janë në gatishmëri për të reaguar menjëherë për çdo nevojë teknike që eventualisht mund të paraqitet. Ne po bashkëpunojmë ngushte me operatorët dhe institucionet relevante për të koordinuar aktivitetet që prekin stabilitetin e sistemit. Për transparencë KOSTT do të publikojë në ëebfaqe të dhënat për ngarkesën dhe masat për menaxhimin e saj. Ne besojmë që transparenca është pjesë e sigurisë ku publiku ka informacion të saktë, pritshmëritë bëhen realistike dhe vendimmarrja bëhet më e matur. Dua të theksoj se sfida kryesore është menaxhimi i pikut. Cdo ulje e konsumit në orët e ngarkesës kur ajo është e lartë e ndihmon sistemin të mbetet stabil për të gjithë. U bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që sa herë që të jetë e mundur të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me ngarkesë të lartë jashtë kohës së pikut dhe të shpenzojnë energjinë në mënyrë sa ma racionale në mënyrë që furnizimi të jetë i garantuar për të gjithë. Ne do të vazhdojmë të investojmë dhe operojmë me standarde të larta dhe të komunikojmë hapur sepse mendojmë se energjia e sigurt është themel i ekonomisë dhe cilësisë së jetës”
Kur u pyet për operimin e rrjetit ai tregoi edhe për kapacitet transmetuese.
“Vetëm operojmë me rrjetin. Momentalisht janë katër blloqe në punë të cilat po prodhojnë diku rreth 800 megavat orë. Ndërsa konsumi sot është rreth 1 mijë e 400 megavat për orë. Sa i përket kapaciteteve, kapacitet transmetuese të cilat ndjekin një metodologji të përllogaritjes, nga përllogaritjet që dalin në kompaninë tonë ne i alokojmë në zyrën për alokim të kapaciteteve SIKAO me seli në Podgoricë duke qenë se jemi një nga nëntë pronarët e asaj zyre dhe ato kapacitet duke iu nënshtruar legjislacionit përkatës përdoren nga palët, blihen dhe shiten me qëllim që në raste kur kemi nevojë për shkëmbime ato të jenë të gatshme” , tha ai.
Ai ka treguar se sot sistemi po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit, sidomos në orët e pikut.
“Tradicionalisht, piku i ngarkesës shfaqet gjatë sezonit dimëror, me theks të veçantë në periudhën 20 dhjetor – 5 janar, kur konsumi rritet ndjeshëm dhe atë në oraret si: 09:00–11:00, 16:00–19:00 dhe 22:00–23:00. Ngarkesa maksimale ka arritur deri në 1,523 MË, krahasuar me 1,472 MË vitin e kaluar—tani kur temperaturat nuk janë shumë të ulëta. Në krahasim, piku i vitit 2020 ishte 1,249 MË. Ky trend tregon se kërkesa po rritet më shpejt se sa ritmi historik i kapaciteteve dhe kërkon menaxhim më të kujdesshëm operacional. Siç e dini, KOSTT prej vitesh po investon për të rritur kapacitetet transmetuese dhe për të eliminuar fytet e ngushta në rrjet. Investimet e përfunduara së fundi—si Nënstacioni Prishtina 6, NS Fushë Kosovë dhe NS Ferizaj—kanë përmirësuar ndjeshëm sigurinë dhe fleksibilitetin e furnizimit në këto zona dhe më gjerë. Megjithatë, këtë vit mbingarkesat janë shfaqur më të theksuara në disa nënstacione specifike: Nënstacioni Rahovec (që furnizon Rahovecin dhe Malishevën), Nënstacioni Prizren 1 (për një pjesë të Prizrenit dhe Dragashin) dhe, në mënyrë të pjesshme, Gjilani 1 dhe Lipjani. Në këto Nënstacione, kapacitetet janë të limituara dhe në orët e pikut krijohen mbingarkesa në rrjet. Prandaj, gjatë javës së fundit, në periudha të caktuara të pikut, KOSTT ka zbatuar kufizime të përkohshme dhe të kontrolluara të ngarkesës në disa pika. Dua ta theksoj qartë: këto masa nuk janë “qëllim në vetvete”; ato janë instrument sigurie për të garantuar funksionimin normal të sistemit, mbrojtur stabilitetin e tij dhe për të shmangur incidente më serioze që do të kishin ndikim shumë më të gjerë. Qasja jonë është të veprojmë me precizitet teknik, vetëm kur është e domosdoshme dhe për aq sa është e nevojshme”, tha ndër të tjerash ai.
Më tej ai ka treguar rolin e KOSTT.
“Po ashtu, për transparencë dhe për ta vendosur drejt dallimin mes rolit të KOSTT-it dhe nivelit të furnizimit te konsumatori: ndërhyrjet që KOSTT ka urdhëruar këto ditë kanë qenë të kufizuara vetëm në disa Nënstacione, në orë të caktuara të pikut, dhe janë shprehur në këto vlera maksimale: në NS Rahovec deri në 20% (12.6 MË), në NS Prizren 1 deri në 11% (7.7 MË), dhe në NS Lipjan deri në 3% (3 MË). Në një rast të vetëm është ndërmarrë edhe një ndërhyrje minimale në NS Gjilan 1. Këto janë masa teknike për sigurinë e rrjetit. Çdo reduktim tjetër që qytetarët mund ta kenë ndier në nivel të furnizimit nuk është shkaktuar nga ne. Zona më e ndjeshme aktualisht mbetet zona Rahovec–Malishevë që fatmirësisht dje vendosëm gurthemelin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë—një investim që do të rrisë kapacitetin dhe do të zgjidhë problemin e këtyre zonave dhe më gjerë. Ky projekt është investim vetanak i KOSTT në vlerë prej 6.78 milion euro dhe është i planifikuar të përfundojë brenda 13 muajve”, shprehet Neziri.
Kur u pyet se a kanë kompetencë me i mbikëqyr me ndalu ose mos me leju monopolin e çmimeve të transportit të rrymës, Neziri tha se “Në përgjithësi procesi monitorohet nga ne por mbikëqyrja bëhet nga zyra e rregullatorit të energjisë, ndërsa procesin e operimit e realizojmë ne, duke e ofruar në platformë dhe prapë them se është metodologji e pranuar nga nëntë operatorë dhe e cila është obligative duke qenë që jemi dhe pronarë por edhe shfrytëzues të platformës SIKAO”.
Alban Fetahu, Drejtor i Departamentit të Operatorit të Tregut, tregoi sa ka qenë çmimi për megavat orë në Alpex dhe Hupx.
“Çmimi mesatar i energjisë elektrike në Alpex në shtator ka qenë 109 euro, në tetor 126, nëntor 111, dhe nëntor që është i fundit është 127 euro për megavt orë. Psh në muajin dhjetor çmimi i energjisë elektrike në HUPEX, ka qenë 121 euro, apo rreth 6 euro diferencë mes Hupx dhe Alpex. Njëkohësisht në nëntor çmimi në APLEX ka qenë 111 kurse në Hupx 124 euro, çmimi në Alpex ka qenë 13 euro më i lirë se çmimi në Hupex. Çmimet ndryshojnë sepse përcaktohen nga tregu”, ka treguar Fetahu.
Tutje Fetahu shpjegon tregun e transmetimit të energjisë elektrike.
“Të çështja e ALPEX tregu Kosovë-Shqipëri është i bashkuar, kjo përfshinë komplet koston të cilat rrjedhin si raport i transmetimit të energjisë elektrike, nëse vijnë nga Shqipëria apo nëse shkon nga Kosova në Shqipëri. Kurse te çmimet e transmetimit, janë subjekt i një sistemi elektronik që është në SIKAO, në qendër të ankandeve koordinuese në Podgoricë dhe është e rëndësishme që në atë ndërmarrje janë pjesë edhe disa shtetet të Bashkimit Evropian të cilat i tregtojnë kapacitetet e tyre në të platformë dhe mekanizimi regjional të cilin e kemi ne. Ne vazhdimisht marrim informacione nga SIKAO në baza ditore”, shpjegoi ai.
Neziri ka treguar për investime në nënstacione.
“Vitin e kaluar me datë 12 dhjetor kemi përuru nënstacionin në Fushë Kosovë që ka zgjidhur problemin e furnizimit të qytetit të Fushë Kosovës, nëj pjesës së Prishtinës dhe Obliqit dhe ky problem njëherë e mirë është përfunduar. Sa i përket regjionit të Ferizajt, me datë 21 janar 2025 kemi përuruar nënstacionin e dytë, për një kohë rekorde, pra për një muaj e gjysmë kemi bërë përurimin nënstacionit i nivelit tensionit dhe i cili përpos që ka trajtuar problematikën, përkatësisht mungesën e energjisë e ka zbutur situatën edhe në disa dalje në raport me qytezën e Shtimes dhe me disa fshatra që janë nga ana e Komunës së Ferizaj, Lipjan, ndërsa problemi me kapacitet në fakt me kapacitet në Lipjan kemi kapacitet të mjaftueshme, është çështje e niveleve të tensioneve që operon kompania për distribuim të energjisë të cilët i bëhen disa përshtatje që ato kapacitete me qenë të shfrytëzueshme. Në vitin e kaluar kemi pasë disa kufizime në nënstacionin Gjilani pesë, dhe i cili vitin e kaluar për shkak të tipologjisë së pajisjeve ka pasë probleme dhe ne kemi bërë investime, kemi ndërtuar kanalin, kemi ndërruar tipologjinë”, tregoi Neziri./Indeksonline/

