Ia vranë shokun e skuadrës pak ditë më parë, pensionohet ish-lojtari i Interit
Ngjarja e rëndë në Ekuador, ku u vra në një atentat në mes të rrugës futbollisti Mario Pineida, ka tronditur opinionin sportiv në këtë vend dhe jo vetëm.
Të gjithë futbollistët e Barcelona Guajakuil, klubit ku bënte pjesë lojtari 33-vjeçar, janë duke menduar largimin pas kësaj ngjarje në të cilën mbeti e vrarë edhe gruaja e tij.
Një prej tyre është edhe një emër i njohur në futbollin europian, sulmuesi Felipe Caisedo.
Lojtari 37-vjeçar, i lindur dhe rritur pikërisht në Guajakuil, mendonte se do të kalonte edhe disa vite në klubin e qytetit të tij, por kjo ngjarje ka bërë që ish-futbollisti i klubeve me emër si Manchester City, Sporting, Lacio e Inter, të vendosë mbylljen e karrierës.
“Gjëja më e mundshme është që të tërhiqem. Nuk mendoj të vazhdoj më. Vdekja e Mario Pineida më ka ndikuar thellësisht dhe nuk dua të di më asgjë për futbollin. Nuk do qëndroj më në këtë klub.
Kur vendosa të vija, mendova me zemër dhe jo me kokë. Nëse do të mendoja me kokë, padyshim që nuk do vija”, tha futbollisti duke zbuluar vendimin e tij.

