75 Mall Live Search
15:54 / E Enjte, 25 Dhjetor 2025 / F.R

Stuhia e fortë në Kaliforni shkakton gjendje të jashtëzakonshme, evakuohen qindra banorë

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Kaliforninë, duke shkaktuar përmbytje kërcënuese për jetën dhe duke detyruar qindra persona të evakuohen në mes të festës së Krishtlindjeve.

Shërbimi Kombëtar i Motit i Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar se stuhitë pritet të vazhdojnë gjatë gjithë Krishtlindjeve, duke lëshuar edhe një paralajmërim të rrallë për një “rrezik të lartë të reshjeve të tepërta”.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë qarqe, për të mundësuar, siç u shpreh ai, “shërbime emergjente dhe burime të parapozicionuara për të mbajtur komunitetet e sigurta”.

Ndërkohë, autoritetet e Qarkut të Los Angeles kanë lëshuar rreth 130 urdhra evakuimi për banorët e shtëpive që konsiderohen të rrezikuara nga përmbytjet.

Shumë nga këto shtëpi ndodhen në zona që u goditën rëndë nga zjarret masive në fillim të këtij viti, çka e shton edhe më shumë rrezikun nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet.

Kalifornia njihet për prirjen ndaj motit ekstrem, ndërsa situata bëhet edhe më e ndërlikuar nga ciklet e shpeshta të motit, ku periudha shumë të lagështa alternohen me thatësira të papritura dhe të zgjatura.

Vitet e fundit, shteti është përballur me një sërë fatkeqësish natyrore, përfshirë thatësira, zjarre shkatërruese, tërmete dhe përmbytje.