75 Mall Live Search
16:37 / E Shtunë, 27 Dhjetor 2025 / MSH1

Nga Stambolli në SHBA: votimi i diasporës përfundon gradualisht deri pas mesnate

Pas një procesi përgatitor që ka zgjatur disa javë, sot është duke u zhvilluar votimi për shtetasit e Republikës së Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike jashtë vendit.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithsej 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht, kanë të drejtë të votojnë në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës.

Votimi do të përfundojë në orare të ndryshme, varësisht nga shteti pritës. Në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të mbyllet votimi në Konsullatën e Kosovës në Stamboll. Ndërkaq, në orën 19:00 do të mbyllen qendrat e votimit në shtete si Gjermania, Zvicra, Franca, Belgjika, Norvegjia, Austria, Suedia, Sllovenia, Danimarka, Italia, Kroacia, Holanda, Republika Çeke dhe Hungaria.

Në Ambasadën e Kosovës në Londër, procesi i votimit do të përfundojë në orën 20:00, ndërsa në katër përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, votimi do të mbyllet në orën 01:00 të ditës së ardhshme, gjithnjë sipas kohës lokale në Kosovë.