Policia e Kosovës me plan të detajuar sigurie për zgjedhjet
Policia e Kosovës, sikurse në çdo proces zgjedhor, ka ndërmarrë me kohë të gjitha përgatitjet e nevojshme ligjore dhe operative për mbarëvajtjen e Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat po mbahen sot, më 28 dhjetor 2025.
Bazuar në ligjet pozitive të vendit, Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë planifikimet përkatëse me qëllim të garantimit të sigurisë dhe rendit publik gjatë gjithë procesit zgjedhor. Për zbatimin e këtij plani është angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë, kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës edhe zyrtarë nga profile dhe njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës.
Zyrtarët policorë kanë filluar angazhimin e tyre me orar 12-orësh, duke nisur nga ora 03:00 e mëngjesit, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit sensitiv zgjedhor nga depot komunale drejt qendrave të votimit dhe ofrimin e sigurisë së vazhdueshme.
Plani operativ policor përfshin katër faza:
- Periudha parazgjedhore dhe vlerësuese,
- Angazhimi gjatë fushatës zgjedhore,
- Garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve (dita Z),
- Periudha pas zgjedhjeve, që përfshin transportin dhe sigurimin e materialit sensitiv deri në përfundim të plotë të procesit.
Policia ka bërë të ditur se faza e parë dhe e dytë tashmë janë realizuar, ndërsa aktualisht është në zbatim faza e tretë, si faza kyçe e ditës së zgjedhjeve, për të vazhduar më pas me fazën e katërt.
Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrave të numërimit të rezultateve, si dhe përcjellja e sigurt e materialit sensitiv zgjedhor.
Po ashtu, Policia e Kosovës do të iniciojë dhe procedojë çdo vepër penale që cenon të drejtën e votimit, duke ndërmarrë masa procedurale dhe penale ndaj çdo personi që shkel ligjet që rregullojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe KQZ-së, janë caktuar hetues policorë në drejtoritë rajonale për trajtimin e rasteve që lidhen me procesin zgjedhor, si dhe koordinatorë policorë me KQZ-në.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në përmbushjen profesionale dhe transparente të detyrave të saj ligjore dhe ka inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm.
Rastet mund të raportohen përmes numrave 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com, apo në stacionet më të afërta policore.

