75 Mall Live Search
11:02 / E Diele, 28 Dhjetor 2025 / KV

Kompany i prerë te Bayern: Pa uri për sukses, nuk ka vend këtu

Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, ka folur hapur për mentalitetin dhe filozofinë e tij në krye të kampionëve rekord të Gjermanisë, në një intervistë për revistën zyrtare të klubit Säbener 51. Belgu ka theksuar se te Bayern nuk ka vend për komoditet, pavarësisht historisë së jashtëzakonshme të suksesit.

“Një nga parimet e mia udhëzuese është: Ji i uritur ose shko diku tjetër,” ka deklaruar Kompany, duke nënvizuar se vetëm lojtarët me mentalitet fitues dhe përkushtim maksimal kanë vend në skuadrën e tij.

Sipas Kompany, “uria” nuk lidhet vetëm me fitoret, por me qasjen e përditshme ndaj punës. “Në këtë nivel, je i detyruar të japësh gjithçka. Mund ta shijosh suksesin, por duhet të jesh gati të bësh sakrifica. Uria do të thotë të kërkosh gjithmonë më shumë, të japësh më shumë dhe ta bësh këtë së bashku,” u shpreh ai.

Trajneri i Bayern shtoi se ky mentalitet duhet të jetë i pranishëm në çdo rrethanë: fitore, humbje apo barazim, në diell, shi apo borë. “Është bindja se vetëm ata që i qëndrojnë besnikë detyrës bëjnë përparim,” theksoi Kompany, duke vënë theksin edhe te ruajtja e një atmosfere pozitive brenda ekipit.

Qasja e Kompany, e bazuar në disiplinë, përkushtim dhe mentalitet të shëndetshëm fitues, ka dhënë rezultate pozitive deri tani te Bayern Munich, duke konfirmuar se standardet e larta mbeten thelbësore edhe për një klub që ka fituar gjithçka.