Radoniqi: Deri në orën 19:00 votuan 890 mijë e 859 votues
Deri në orën 19:00 kanë votuar 819 mijë e 890 votues apo 44.56 për qind.
Kështu u bë e ditur nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën për media pas mbylljes së procesit të votimit.
“Në të dhënat preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote 890 mijë e 859 votues apo 44.56 për qind nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, rreth 91 për qind e vendvotimeve kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944 votues”, tha ai.
Sipas tij, nuk janë evidentuar incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit në Republikën e Kosovës ka përfunduar në orën 19:00. Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, vlerësojmë se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore.
Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. Pas konferencës së pasdites, kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë elektrike në 3 qendra votimi të komunave Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit.
Menjëherë është njoftuar KEDS-i dhe sipas informatave, energjia elektrike është rikthyer në kohë të shpejtë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet e ndryshme për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si: Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, si dhe KEDS-in për trajtimin në kohë të shpejtë të rasteve të paraqitura” deklaroi Radoniqi.

