Përfshihet nga flakët, azili i të moshuarve humbin jetën 16 persona
Gjashtëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një azil të moshuarish në qytetin Manado, në ishullin indonezian të Sulawesi-t.
Lajmi u konfirmua sot për AFP-në nga punonjësi i shpëtimit, Jimmy Rotinsulu, i cili bëri të ditur se shumica e viktimave u gjetën brenda dhomave të tyre.
Sipas tij, banorët e moshuar me shumë gjasa ndodheshin duke pushuar në dhomat e tyre të dielën në mbrëmje, në momentin kur shpërtheu zjarri.
Autoritetet arritën të evakuonin 12 persona, të gjithë të padëmtuar, të cilët më pas u dërguan për kontroll mjekësor në një spital lokal.
Pamjet e transmetuara nga televizioni lokal Metro TV treguan flakët që përfshinë godinën e azilit, ndërsa banorë të zonës ndihmonin ekipet e emergjencës në evakuimin e të moshuarve.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

