75 Mall Live Search
10:46 / E Premte, 02 Janar 2026 / S Z

Video/ Tragjedia me 47 viktima në Crans-Montana, momenti kur fishekzjarri i vë flakën tavanit të barit

Ky është momenti kur fishekzjarrët e vendosur në shishet e shampanjës shkaktuan një zjarr masiv në një bar skish në Zvicër, duke vrarë të paktën 47 persona dhe duke plagosur 115 të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit me orën lokale (00:30 GMT) në bodrumin e “Le Constellation”, një lokal i njohur që ndodhet në qendër të qytetit alpin të Crans-Montana.

Sipas raportimeve, flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë ambientin, duke e përfshirë lokalin në një zjarr të fuqishëm që u kthye në tragjedi për dhjetëra persona që ndodheshin brenda. Pamjet dhe dëshmitë flasin për skena kaosi, ndërsa shumë klientë mbetën të bllokuar nga zjarri që shpërtheu në bodrum.https://www.dailymail.co.uk/embed/video/3578885.html

Mësohet se pronarët e klubit të natës janë një çift francez, të njohur në industrinë zvicerane të mikpritjes: Jacques Moretti, 49 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Jessica, 40 vjeçe, me origjinë nga ishulli francez i Korsikës. Tani ata po përballen me një sërë pyetjesh se si flakët u përhapën kaq shpejt dhe si lokali u shndërrua në një kurth vdekjeprurës për klientët.

Nga profili në Facebook i znj. Moretti, mësohet se ajo ka lidhje edhe me Mbretërinë e Bashkuar, pasi ka studiuar në Universitetin e Glamorgan në Uells, si dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Monakos dhe Shkollën e Biznesit Montpellier në Francë.

Çifti, i cili ka edhe një djalë të vogël, e hapi barin “Le Constellation” në dhjetor të vitit 2015, pasi ishin dashuruar me zonën gjatë një vizite pushimi njëjavore në vitin 2011.

Lokali, i cili përfshinte një tarracë në katin e sipërm dhe një klub nate në bodrum, me DJ dhe muzikë live, ishte shndërruar në një nga destinacionet më të njohura të jetës së natës në Crans-Montana. Klientela përbëhej kryesisht nga të rinj të apasionuar pas sporteve dimërore, si dhe vendas.

Në faqen zyrtare të Crans-Montana, lokali përshkruhej si një “hapësirë elegante” me një “atmosferë festive”, ndërsa online cilësohej shpesh si “vendi ideal” për argëtim, i frekuentuar nga një publik ndërkombëtar.

Mësohet gjithashtu se lokali ishte një nga të paktët në resortin e skive që lejoi hyrjen e personave mbi 16 vjeç, ndryshe nga shumica e ambienteve të tjera ku mosha minimale ishte 18 vjeç.

Autoritetet zvicerane kanë nisur një hetim të plotë për rrethanat e ngjarjes dhe arsyet pse zjarri u përhap kaq shpejt, duke shkaktuar një prej tragjedive më të mëdha të viteve të fundit në këtë zonë turistike të njohur.