Dy konkurse të çuara dëm, KEK-u dy vjet e gjysmë me ushtrues detyre të kryeshefit
Me një konkurs të dështuar, një tjetër të përfunduar – por me kandidatin e zgjedhur që refuzoi të marrë pozitën e fituar – dhe tani në pritje të shpalljes së të tretit, Korporata Energjetike e Kosovës mbetet pa kryeshef ekzekutiv fuqiplotë që dy vjet e gjysmë.
Që nga Prilli 2023, pas arrestimit, suspendimit e më vonë shkarkimit të ish-kryeshefit Nagip Krasniqi, ndërmarrja kryesore energjetike në vend është duke funksionuar me ushtrues detyre.
Në njoftimin e datës 1 Korrik 2025, se kandidati i zgjedhur Ylber Batalli ka refuzuar të marrë detyrën, KEK-u “kishte siguruar opinionin publik” se Bordi do t’i ndërmarrë veprimet për ri-shpalljen e konkursit “në një afat të arsyeshëm”.
Sidoqoftë, pesë muaj pas, kjo ndërmarrje nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit se pse nuk është shpallur konkursi i ri.
Pasi vlerësoi se KEK-u është prej ndërmarrjeve më të rëndësishme, jo vetëm për energjinë, por për ekonominë në tërësi, Besnik Boletini nga organizata Çohu tha se shpallja e konkursit për kryeshef është domosdoshmëri.
“Fakti që funksionon me ushtrues detyre është një mangësi e madhe, për shkak se ushtruesi i detyrës është për një fazë tranzicioni dhe është në detyrë për ushtruar funksionalitetin e një ndërmarrjeje, kurse drejtori ekzekutiv, siç dihet, bën planin e punës, vizionin, strategjinë për zhvillimin e ndërmarrjes. Një ushtrues detyrë nuk mund të bëjë një vizion tre apo katër vjeçar të zhvillimit të ndërmarrjes dhe kjo ka për pasojë mos-zhvillimin e ndërmarrjes”, tha Boletini.
Në vlerësimin e Boletinit, nëse jo degradim, periudha në fjalë paraqet një “status-quo” për ndërmarrjen.
“Siç e dimë, KEK-u është një ndërmarrje që ka pasur ndër vite probleme të vazhdueshme të funksionimit, rëniet e blloqeve, mos-menaxhim, akuza për keqpërdorime etj. Të gjitha këto janë të mundshme kur ka ushtrues detyre, i cili realisht nuk është fuqiplotë si vendimmarrës, sepse disa institucione kanë nevojë për reformë dhe vendime të rëndësishme, reformuese dhe strategjike, të cilat nuk mund bëjë një ushtrues detyre”, tha ai, shkruan RTVDukagjini.
Pasi tha se qeverisja e ndërmarrjes me ushtrues detyre për një periudhë kaq të gjatë krijon pasiguri dhe ndikon në projektet kapitale e strategjike, Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë tha se situata është e pakuptueshme.
“Qëndrimi me ushtrues detyre për vetë personin që është emëruar krijon një lloj hendikepi të madh dhe pasigurie të madhe në veprimet që ai duhet t’i marrë, sepse nuk e ka bazën e plotë të sigurisë juridike në ndërmarrjen e veprimeve. Kjo, pastaj, krijon paqartësi edhe te zhvillimi i shumë veprimeve që duhet të kryhen në Korporatën Energjetike, sidomos në mbarëvajtjen dhe funksionimin e blloqeve edhe ashtu jashtëzakonisht të vjetra”, deklaroi Ahmeti.
Në fund të Shkurtit 2025, Bordi i Drejtorëve i KEK-ut caktoi ushtrues detyre të kryeshefit, Gramos Hashanin, i cili vijon të drejtojë ndërmarrjen.
Paraprakisht, ky organ vendimmarrës kishte caktuar edhe dy ushtrues detyre të tjerë në këtë pozitë, në periudha të ndryshme.
Nga Shkurti 2024 deri në Shkurt 2025, ushtrues detyre i kryeshefit ka qenë Bekir Gërguri, ndërsa nga Prilli 2023 deri në Shkurt 2024 ka qenë Përparim Kabashi.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar më 19 Prill 2023, një javë më vonë ishte suspenduar, ndërsa në Shkurt 2024 ishte shkarkuar nga pozita.

