75 Mall Live Search
14:40 / E Shtunë, 03 Janar 2026 / F.R

Angelina Jolie po largohet nga Los Angeles, ku do ta shkruajë kapitullin e radhës?

Angelina Jolie duket se po i mbyll gradualisht dyert e një epoke të gjatë në Los Angeles. Aktorja, regjisore dhe humanitarja 50 vjeçare, po përgatitet të nisë një kapitull të ri, me shumë gjasa jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa në prapaskenë po lëviz edhe një vendim simbolik, shtëpia ku ka jetuar prej vitit 2016 pritet të dalë në shitje.

Bëhet fjalë për rezidencën historike të njohur si ish prona e Cecil B. DeMille, e raportuar me vlerë rreth 25 milionë dollarë. Thuhet se Jolie e ka vendosur në treg dhe ka nisur t’ua tregojë blerësve potencialë, në mënyrë të qetë, pa shumë zhurmë publike.

Plani i saj për vitin 2026, sipas raportimeve, është të ndajë kohën mes Nju Jorkut, ku ka kolektivin dhe butikun e saj të modës Atelier Jolie, dhe Europës, me arsyetimin e një jete më private. Në këtë hartë personale vazhdon të mbetet edhe Kamboxhia, vendi që prej vitesh e quan shtëpi të dytë dhe ku ajo ka edhe shtetësi.

Në prapavijë të këtij largimi, gjithçka lidhet edhe me një periudhë të gjatë tensioni personal. Jolie dhe ish bashkëshorti i saj Brad Pitt arritën marrëveshjen përfundimtare të divorcit më 30 dhjetor 2024, tetë vite pasi ajo kishte depozituar kërkesën për ndarje. Përgjatë këtyre viteve, çifti ka kaluar një seri betejash ligjore që e kanë mbajtur historinë e tyre vazhdimisht në fokus.

Vetë Jolie ka folur më herët hapur për dëshirën për t’u larguar nga Los Angeles, duke thënë se qëndrimi i saj atje lidhej me faktin që fëmijët e saj duhej të rriteshin pranë babait të tyre. Sipas deklarimeve të mëparshme, ajo e kishte lidhur lirinë për t’u zhvendosur me momentin kur të gjithë fëmijët të mbushnin 18 vjeç. Ky afat mbyllet në korrik, në ditëlindjen e binjakëve Knox dhe Vivienne.

Jolie dhe Pitt janë prindër të gjashtë fëmijëve: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, si edhe binjakëve Knox dhe Vivienne. Me kalimin e viteve, disa prej tyre kanë zgjedhur të mos e përdorin më mbiemrin Pitt, ndërsa Shiloh ndërmori edhe hapa ligjorë për ta hequr atë nga mbiemri i saj kur mbushi 18 vjeç në vitin 2024.