Vërshimet në Malishevë, Kastrati: Deri tani niveli qendror nuk ka ofruar asnjë ndihmë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka deklaruar drejtpërdrejt në Debat Plus se aktualisht gjendja në komunë është e qetë dhe stabile, por reshjet e shiut që kanë nisur pasditen e sotme mund ta përkeqësojnë situatën.
“Kemi sanuar shumë pika ku reshjet kanë shkaktuar vërshime dhe kanë ndikuar në jetën e qytetarëve. Të gjitha rrugët dhe urat janë të kalueshme, përveç një ure dhe aksi rrugor drejt Banjës e kemi të vështirë për shkak të akumulimit të ujit”, tha Kastrati.
Ai shtoi se reshjet pritet të vazhdojnë me intensitet të lartë, duke e bërë sfiduese parandalimin e vërshimeve në disa zona.
Sa i përket ndihmës nga niveli qendror, Kastrati tha se deri më tani nuk është ofruar asgjë konkrete, përveç kontakteve me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, e cila ka ofruar ndihmë.
Ai tha se presin që në ditët në vijim të ketë komunikim për mbështetje./Indeksonline/

