75 Mall Live Search
09:55 / E Premte, 09 Janar 2026 / S Z

Kryeziu: Opozita humbi zgjedhjet sepse s’krijoi energji elektorale, jo për shkak të diasporës

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka theksuar se diaspora nuk e krijoi fitoren e Vetëvendosjes, por vetëm e thelloi atë, pasi sipas tij kjo parti ishte e para edhe vetëm me votuesit rezidentë në Kosovë.

“Diaspora nuk e krijoi fitoren, thjesht e thelloi atë. Vetëvendosje ishte subjekti i parë edhe vetëm me votuesit rezidentë të Kosovës. Partitë opozitare nuk humbën sepse Vetëvendosje “u ndihmua” nga diaspora. Humbën sepse nuk bënë politikë. Nuk ndërtuan terren, nuk mobilizuan struktura, nuk krijuan energji elektorale. Në vend të fushatës reale, zgjodhën komoditetin e rrjeteve sociale, improvizime e ambalazh, intervista të përsëritura dhe sallone politike të mbyllura. Të shkëputura totalisht nga qytetarët. Një fushatë pa horizont fitoreje mbetet vetëm performancë simbolike, jo strategji politike”, ka shkruar ai.

Ai ka kritikuar ashpër qasjen e partive opozitare gjatë fushatës zgjedhore, duke vlerësuar se ato dështuan të mobilizonin strukturat partiake dhe të krijonin energji elektorale.

Sipas Kryeziut, opozita u fokusua në komoditetin e rrjeteve sociale dhe paraqitjeve të përsëritura mediatike, në vend të kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Albin Kurti, edhe një ditë para zgjedhjeve, ishte në terren, në takime direkte me qytetarë dhe me figura e familje me peshë shoqërore e kombëtare. Ndërkohë, liderët që predikonin “ndryshimin” besonin se disa intervista televizive dhe fushata digjitale, disa improvizime, do ta zëvendësonin kontaktin politik real me votuesit. Pa struktura, pa terren dhe pa votues, humbja ishte e pashmangshme. Në fund, rezultati zgjedhor nuk ishte surprizë. Ishte pasojë logjike. Dhe përgjegjësia apo pasojat nuk janë diaspora, por një opozitë që zgjodhi rehati në vend të betejës politike”, ka shkruar Kryeziu.