75 Mall Live Search
13:29 / E Premte, 09 Janar 2026 / OSH

Lajmërohet Abdixhiku, ka një porosi për elektoratin dhe për ata që po e godasin LDK-në

Lumir Abdixhiku ka falënderuar 126 mijë votuesit e LDK-së për besimin në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Me një status në Facebook, kreu i LDK-së ka thënë se partia e tij është institucionale.

Abdixhiku ka dhënë një porosi edhe për ata që po e godasin LDK-në pas zgjedhjeve të fundit.

“Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë.
Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë.
LDK-ja e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin.
Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK-ja është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara.
Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme.
Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK-ja është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike, e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saj më të vështira.
Faleminderit secilit që na votoi, na mbështeti dhe na qëndroi pranë. Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh”, shkruan Abdixhiku në reagim./Indeksonline/