Studimi: 1 në 5 persona në Gjermani mendon të largohet nga vendi
Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, një në pesë persona në Gjermani po mendon të largohet nga vendi.
Studimi zbuloi se 21 për qind e popullsisë së Gjermanisë po shqyrton mundësinë e largimit nga vendi, përfshirë 34 për qind e personave me prejardhje migrante dhe 37 për qind të fëmijëve të tyre.
Qendra Gjermane për Studime të Integrimit dhe Migracionit (DeZIM) e kreu studimin midis viteve 2024 dhe 2025 me 2.933 pjesëmarrës.
Nga personat pa prejardhje migrante, 17 për qind po mendojnë të largohen nga Gjermania, ndërsa 31 për qind e atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe 28 për qind e atyre nga vendet e tjera të BE-së raportuan të njëjtën gjë.
Arsyeja më e shpeshtë e përmendur për emigrim në të gjitha grupet ishte dëshira për një “cilësi më të lartë jete”.
Për personat me prejardhje migrante, përvojat e diskriminimit gjithashtu luajtën rol.
U raportua se 25 për qind e pjesëmarrësve nga Turqia dhe nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përmendën përvojat e diskriminimit si arsye për të menduar largimin.
Fabio Best, studiues në DeZIM, theksoi se të dhënat tregojnë se dëshira për t’u larguar nga Gjermania mbetet e lartë.
“Sidomos te personat me prejardhje migrante dhe fëmijët e tyre, kërkimi për kushte më të mira jetese, së bashku me perceptimet për diskriminim, luan një rol të rëndësishëm”, tha ai.

