I ftohti ekstrem në Finlandë: Mijëra turistë të bllokuar në Aeroportin e Kittilës
Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Finlandën Veriore pasi fluturimet në Aeroportin e Kittilës u anuluan për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta.
Temperatura në aeroport kanë rënë në -37 gradë Celsius të dielën në mëngjes, pas disa ditësh me mot të ngjashëm arktik, gjë që e bëri të vështirë shkrirjen e akullit të aeroplanëve dhe operacione të tjera.
Thuhet se turistët britanikë të bllokuar kanë një shans të kthehen në shtëpi të hënën pasdite, kur janë planifikuar fluturimet për në Mançester dhe Londër, por parashikimet nga Zyra Meteorologjike e Britanisë tregojnë se temperaturat do të jenë ende rreth -28 gradë Celsius në atë kohë.
Kitila ndodhet në Laplandën finlandeze, në pjesën veriore me popullsi të rrallë të vendit.
Pavarësisht se janë mësuar me temperaturat e ftohta të dimrit, finlandezët janë prekur edhe nga i ftohti i këtij viti, i cili është më i rëndë se vitet e kaluara dhe ka prekur zona të mëdha të Evropës Veriore, Qendrore dhe Lindore.
Reshjet e dendura të dëborës, erërat e forta dhe rrugët e akullta e bënë udhëtimin nëpër kontinent jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Në Gjermani, pasagjerët e trenave pësuan vonesa dhe anulime të mëdha të dielën, pasi reshjet e dendura të borës e detyruan operatorin hekurudhor Deutsche Bahn të pezullojë të gjitha shërbimet në veri të vendit, raporton Sky News.
Autoritetet thanë se të gjitha shkollat në North Rhine-Westphalia, shteti perëndimor më i populluar i vendit, do të mbeten të mbyllura të hënën për shkak të temperaturave të ulëta, transmeton Sinjali.
Në shtetet baltike të Estonisë dhe Lituanisë, shoferëve iu kërkua të shtynin të gjitha udhëtimet jo thelbësore për shkak të stuhive të pritura të dëborës, ndërsa Letonia fqinje lëshoi një paralajmërim për dëborë për pjesën perëndimore të vendit.

