Rritje e rasteve me simptoma gripi, mjeku familjar: Situatë e zakonshme dhe nën kontroll
Ka pasur një rritje të numrit të qytetarëve që po paraqiten me simptoma të gripit të zakonshëm si kollitje, temperaturë, rrjedhje hundësh dhe dhembje trupi, e që kjo gjendje sipas specialistit të mjekësisë familjare, Rushit Ismajli, është një gjendje e zakonshme sezonale dhe sistemi shëndetësor është i përgatitur për ta përballuar, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Onlinen, Ismajli thekson se në shumicën e rasteve simptomat janë të lehta dhe kalojnë vetvetiu brenda dy deri në tre ditë, duke rekomanduar që pacientët të qëndrojnë në shtëpi, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje, të ushqehen shëndetshëm dhe të përdorin paracetamol.
“ka pasur një numër të shtuar të qytetarëve të cilat kanë pasur simptoma të gripit të zakonshëm kollitje, temperaturë, shkuarje hundësh është gjendje e zakonshme e kemi pasur edhe herave të tjera dhe kemi përgatitje të mjaftueshme për të përballuar këtë numër të qytetarëve, presim që të bie numri i pacientëve të cilët po kërkojnë ndihmë për çështje të gripit, ndoshta janë dy arsye e para që kemi bërë është edukim të vazhdueshme shëndetësor qoftë edhe për media që në rast se kanë temperaturë të presin dy tre ditë sepse kalon edhe vetvetiu edhe e dyta është që në temperatura shumë të ulët viruset shkatërrohen sidomos kur bie borë atëherë nuk i rezistojnë të ftohtit kështu që pritet që të kemi ulje pacientëve me grip”, tha ai.
Ismajli shton se temperaturat e ulëta ndikojnë në uljen e përhapjes së viruseve, ndaj pritet edhe rënie e numrit të pacientëve me grip. Ai apelon për kujdes ndaj shëndetit fizik dhe mendor, si edhe shmangie të panikut në rastet me simptoma të lehta.
“Dhimbje trupi, kollitje, shkuarje hundësh, temperaturë e ngritur, ka raste të rralla vjellje dhe barkëqitje dhe mundim, në shumicën e rasteve janë simptoma të lehta që ne i këshillojmë të qëndrojnë në shtëpi të marrim sasi të mjaftueshme të lëngjeve dhe kjo kalon vetvetiu. Në qoftë se dy tri ditë është e zakonshme që të qëndrojmë në shtëpi të marrin sasi të mjaftueshme të lëngjeve të marrin paracetamoll, të ushqehen shëndetshëm kjo është zgjidhja mirëpo nëqoftëse kjo situatë nuk kalon për katër pesë ditë edhe përkeqësohet gjendja, kanë dhembje gjoksi të kërkojnë ndihmë mjekësore te ne. Në shumicën e rasteve qytetarët pacientët nuk ndihen mirë dhe shërohen plotësisht, por ka që komplikohen, atëherë ne shikojmë për më shumë detaje laboratorike, bëjmë rengen, i trajnojmë sipas rastit. Në radhë të parë të qëndrojnë të shëndetshëm të merren me aktivitet fizik, të ushqehen shëndetshëm, të kujdesen për shëndetin mendor, kjo rrit imunitetin e tyre, në rast se kanë shenja të gripit të mos alarmohen së paku dy deri tri ditë të qëndrojnë në shtëpi të marrin lëngje dhe kjo kalon”, shpjegoi ai.

