Shkoi për ta ndjekur garën e të birit, arrestohet ish-piloti brazilian i Formula 1
Ish-ylli i Formula 1, Antonio Pizzonia, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për një sulm, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Piloti brazilian, 45 vjeç, i njohur për garat e tij në Formula 1 me Jaguar dhe Williams mes viteve 2003–2005, u ndalua nga autoritetet lokale në Teksas.
Sipas TMZ, Pizzonia u fut në burgun e qarkut Montgomery rreth orës 18:00 të së shtunës, ndërsa policia publikoi edhe fotografinë e tij zyrtare pas arrestimit. Ende nuk janë bërë të ditura detaje të sakta mbi rrethanat që çuan në ndalimin e tij.
Raportohet se Pizzonia ndodhej në zonë për të ndjekur garën e djalit të tij, Antonio Pizzonia Neto, i cili mori pjesë në Serinë Dimërore Superkarts! USA 2026. I riu përfundoi garën X30 Junior në vendin e nëntë.
Antonio Pizzonia debutoi në Formula 1 me Jaguar, por u zëvendësua gjatë sezonit pasi nuk arriti të siguronte pikë.
Më pas iu bashkua Williams si zëvendësues i Ralf Schumacher, duke grumbulluar gjithsej tetë pikë përpara se të mbyllte karrierën në F1.
Pas largimit nga Formula 1, Pizzonia pati suksese të tjera në sportin e motorëve, përfshirë fitimin e Auto GP World Series në vitin 2015 dhe triumfet në klasën Open të Boss GP në vitet 2023 dhe 2024, përcjell tch.
Mediat raportojnë gjithashtu se ai kishte festuar Vitin e Ri me familjen e tij në Orlando, Florida.

