75 Mall Live Search
14:22 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / MSH1

Kurti flet me Sorensenin, për dialogun – Serbinë nuk e sheh parimore

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog.

Sa i përket palës tjetër në dialog, Kurti vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi.

Kurti shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radojçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes bazike dhe Aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe Aneksit të zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme.