75 Mall Live Search
18:25 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / S Z

Qelaj: Që nga dorëzimi i raportit 2021, Kuvendi s’ka diskutuar asnjëherë shqetësimet për Specialen

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka kritikuar mungesën e angazhimit të Kuvendit të Kosovës për shqetësimet e ngritura në raportin vjetor të vitit 2021 lidhur me procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në Tv Dukagjin Qelaj tha se shqetësimet e tij për respektimin e të drejtave të njeriut dhe garantimin e një procesi gjyqësor të drejtë nuk kanë marrë asnjë reagim apo diskutim nga Kuvendi, i cili e ka krijuar këtë gjykatë dhe ka hartuar ligjin përkatës.

“Shqetësimet që në atë kohë i kam evidentuar e i kam ngrit në raportin vjetor 2021, raportin e kam dorëzuar në Kuvend me idenë që do të ketë diskutime raporti do të shqyrtohet, që këto shqetësime do të merren parasysh në nivelin më të lartë shtetëror institucional pra nga Parlamenti i Kosovës. I cili duhet të ketë impakt direkt për faktin se është organi që e ka kriju këtë gjykatë, duke hartu ligjin përkatës më të cilin gjykata është themelu. Që nga ajo kohë e deri tash unë nuk kam marrë asnjëherë ndonjë impakt nga Kuvendi, pra nuk ka pasur as diskutim as reagim”, ka deklaruar ai.

Ai shtuar se kjo nuk e ka ndaluar të vazhdojë përcjelljen e procedurës dhe shqyrtimin e çështjeve në gjykatë.

Deklarimi i tij vjen pasi ai i ka dërguar një letër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke theksuar mangësitë e theksuara në respektimin e të drejtave themelore, veçanërisht të së drejtës për gjykim të drejtë.

Qelaj gjithashtu vuri në dukje se mandati i Avokatit të Popullit në këtë rast është i kufizuar.