Suedia nis trupa për në Grenlandë
Oficerë të armatosur suedezë u nisën të mërkurën drejt Grenlandës me kërkesë të Danimarkës, njoftoi kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.
Nuk është e qartë se sa oficerë do të dërgojë Stokholmi, por kryeministri suedez tha se ata janë pjesë e një grupi që përbëhet nga pjesëtarë të forcave të vendeve aleate, raporton televizioni BBC-i.
“Së bashku, ata do të përgatiten për elementet në ardhje brenda kornizës së ushtrimit danez, operacioni ‘Qëndresa arktike’” – tha Kristerssoni në një deklaratë të publikuar në internet.
Ditëve të fundit, Suedia i ka dalë në mbrojtje vendit fqinj, Danimarkës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i përtëriu planet për ta marrë nën kontroll Grenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Në një deklaratë të re, Danimarka tha se forcat e saj të armatosura “do ta zgjerojnë praninë e tyre” në Grenlandë dhe se një gjë e tillë do të bëhet “në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, tha se “siguria në Arktik është me rëndësi jetike” për vendin e tij dhe se, së bashku me aleatët evropianë dhe të Arktikut, Danimarka “do të eksplorojë në javët në vijim se si prania e shtuar dhe aktiviteti me ushtrime në Arktik mund të zbatohet në praktikë”.
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë tha se do të dërgojë 13 trupa në një mision zbulimi me vende të tjera evropiane. Misioni do të realizohet nga e enjtja deri të shtunën, me kërkesë të Danimarkës.

