KEK-u: Po operojmë me 5 njësi, energjia po prodhohet me kapacitete maksimale operative
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se aktualisht po operon njëkohësisht me 5 njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke prodhuar energji me kapacitete maksimale operative.
KEK-u konfirmon se kjo po bëhet në përputhje të plotë me parametrat teknikë dhe kapacitetet reale të njësive ekzistuese, me një prodhim bruto ditor prej mbi 20,000 MWh, transmeton IndeksOnline.
“Për qartësi dhe transparencë, KEK sh.a. thekson se në kushte të zakonshme operon me katër (4) njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave të uljes së temperaturave është angazhuar maksimalisht për të vënë në operim edhe njësinë e pestë. Si rezultat, KEK-u ka arritur të operojë me pesë njësi prodhuese: për 9 ditë gjatë periudhës që nga 19 dhjetori 2025, përmes disa ndërhyrjeve të shkurtra operative, dhe për 7 ditë gjatë muajit janar 2026, përfshirë edhe ditën e sotme, me vazhdimësi të operimit”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, ky nivel operimi përfaqëson një gjendje të rrallë operative, veçanërisht duke marrë parasysh moshën e njësive prodhuese dhe kompleksitetin teknik të sistemeve ekzistuese.
“Njësia A4 ka startuar gjatë orëve të mbrëmjes dhe është sinkronizuar me rrjetin në orët e para të mëngjesit, ndërsa rikthimi paralel dhe i suksesshëm i njësive B1 dhe A4, brenda një afati optimal operacional, dëshmon kapacitetin e lartë profesional të stafit teknik dhe menaxherial të KEK sh.a., planifikimin e saktë operacional dhe menaxhimin efikas të proceseve të sanimit.
Si rezultat i këtij operimi të qëndrueshëm dhe stabil, sistemi aktualisht operon me kapacitete të plota, duke reflektuar stabilitet teknik, siguri operative dhe performancë maksimale të prodhimit”, thuhet ndërkaq në njoftim.
Me këtë rast, KEK-u zotohet se mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe efikas, për menaxhim rigoroz të aseteve prodhuese dhe për avancimin e projekteve strategjike të modernizimit, në funksion të forcimit të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit afatgjatë të sektorit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.

