75 Mall Live Search
16:10 / E Enjte, 15 Janar 2026 / Z S

KGJK miraton Planin Strategjik për Efikasitetin e Trajtimit të Rasteve të Korrupsionit, Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare dhe Krimit të Organizuar 2025-2027

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e mbajtur të enjten, ka miratuar Planin Strategjik për Efikasitetin e Trajtimit të Rasteve të Korrupsionit, Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare dhe Krimit të Organizuar 2025-2027.

Paraprakisht, Afrim Shala, kryetar i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022-2025, sa i përket rasteve të korrupsionit, tha se efikasiteti është diku mbi 100% në nivel të gjykatave themelore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjykatat kanë treguar një efikasitet të theksuar të trajtimit të rasteve që janë me prioritet sipas planit strategjik, si tek rastet e korrupsionit, ashtu edhe tek rastet tjera”, tha Shala.

Ai tha gjithashtu se edhe tek rastet e vjetra ka një ulje të lëndëve në të gjitha departamentet dhe divizionet, përveç Departamentit Special.

“Nga të dhënat që ne kemi siguruar, rezulton që nëse e bëjmë një krahasim me fundin e vitit 2024 dhe fundin e vitit 2025, shohim që numri i lëndëve të vjetra është zvogëluar për 1 mijë e 799 lëndë. Ky trend i zvogëlimit të lëndëve të vjetra ka përfshi edhe lëndë kontestimore”, shtoi Shala.

Ai bëri të ditur se në fund të vitit 2024 kanë qenë 39 mijë e 826 lëndë, kurse në fund të vitit të kaluar ky numër është ulur për 908 lëndë.

“Në shikim të parë duket që është një numër i vogël, megjithatë e rëndësishme është që nuk ka pasur rritje por është zvogëluar, pavarësisht faktit që edhe gjatë vitit të kaluar gjykatat janë përballur me numër të madh të lëndëve”, u shpreh Shala.

Po ashtu, ai paraqiti edhe Planin Strategjik për Efikasitetin e Trajtimit të Rasteve të Korrupsionit, Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare dhe Krimit të Organizuar 2025-2027. Ky plan më pas u miratua.

Sipas tij, rastet me prioritet janë ndarë në tri kategori dhe atë në lëndë të vjetra, në lëndë të kthyera në rigjykim dhe lëndë të cilat kanë prioritet sipas ligjeve përkatëse dhe sipas akteve normative.

Për lëndët e vjetra, Shala tha se kanë konsideruar që të mbahet qëndrimi i njëjtë, që si të tilla të konsiderohen vetëm rastet që janë më të vjetra se 24 muaj.

Ndërkaq, si datë e fillimit të merret data e dorëzimit të parashtresës, përkatësisht aktakuzës, propozimit, padisë, e të tjera, në gjykatë.

“Lëndët e tilla t’i trajtojnë sipas vjetërsisë së arritjes së tyre në gjykatë. Kemi bërë përjashtim, ku thuhet se përveç kritereve të parapra me këtë plan, prioritet absolut në trajtim do të kenë rastet që janë pranuar, por vendosja meritore për herë të dytë ose më shumë pas kthimit të tyre në rigjykim”, tha Shala.

Kurse për rastet që kanë prioritet sipas ligjeve përkatëse dhe sipas akteve normative, ai tha se janë kategorizuar në gjashtë grupe dhe atë: në lëndë të natyrës prioritare civile, penale, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të Gjykatës Komerciale, Departamentit Administrativ dhe të natyrës së Kundërvajtjes./Indeksonline/