Pesë vende të NATO-s vendosin trupat ushtarake në Groenlandë
Danimarka po vendos trupa ushtarake të përhershme në Groenlandë. Prania ushtarake vjen nga pesë aleatët e NATO-s që i bashkohen një force shumëkombëshe, ndërsa bisedimet me administratën Trump përfunduan në “mosmarrëveshje”.
Franca, Gjermania, Suedia, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dërguar personel për të mbështetur Operacionin “Arctic Endurance”, një ushtrim i udhëhequr nga Danimarka që vlerëson logjistikën, terrenin dhe kontributet ushtarake të nevojshme për përforcim më të fortë në Arktik.
Ky zhvillim vjen në kohën kur Presidenti Donald Trump ka përsëritur kërkesat për kontroll amerikan mbi Groenlandën, teksa ai nuk ka përjashtuar përdorimin e presioneve ekonomike apo edhe forcës ushtarake për ta arritur këtë.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen u takua më 14 janar me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Ai tha se është “e qartë se presidenti ka këtë dëshirë për të pushtuar Groenlandën”.
Rasmussen refuzoi kategorikisht si marrjen ushtarake ashtu edhe blerjen e ishullit: “Ide të tilla që nuk respektojnë integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit groenlandez janë krejtësisht të papranueshme”.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme e Groenlandës Vivian Motzfeldt ishte po aq e drejtpërdrejtë: “Groenlanda nuk dëshiron të zotërohet, të qeveriset apo të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Ne zgjedhim Gronlandën që njohim sot – si pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.”

