75 Mall Live Search
12:12 / E Premte, 16 Janar 2026 / P M

Julio Iglesias mohon akuzat e abuzimit seksual: Do të mbroj dinjitetin tim!

Julio Iglesias ka mohuar akuzat e bëra nga dy ish-punonjëset se ai i ka abuzuar seksualisht. Sipas dy grave, ngjarja ka ndodhur në vitin 2021 dhe ato janë “prekur në mënyrë të papërshtatshme, ofenduar e poshtëruar”, kurse mjedisi i punës është përshkruar me “atmosferë kontrolli dhe ngacmimi të vazhdueshëm”.

Këngëtari shkruan se nuk ka abuzuar, detyruar ose shfaqur mungesë respekti ndaj një gruaje. Ai shprehet i shtangur, por i gatshëm që njerëzit të shohin të vërtetën.

“Me trishtim të thellë, u përgjigjem gjithë akuzave për dy persona që më parë kanë punuar në shtëpinë time. Mohoj të kem abuzuar, detyruar ose treguar mungesë respekti ndaj një gruaje. Këto akuza janë plotësisht të rreme dhe më shkaktojnë trishtim shumë të madh. Nuk kisha dëgjuar kurrë kaq shumë dashakeqësi, por më kanë mbetur forca që njerëzit ta njohin të vërtetën dhe të mbroj dinjitetin tim edhe para një ankese kaq të rëndë. Nuk mund të harroj shumë e shumë njerëz të dashur që më kanë dërguar mesazhe dashurie e besnikërie, në to kam gjetur shumë ngushëllim”.

82-vjeçari po përballet me akuza të rënda për sulm seksual dhe trafikim njerëzor. Dy ish-punonjëse të tij, një sanitare dhe një fizioterapiste, e kanë denoncuar në gjykatë duke pretenduar se janë abuzuar gjatë kohës që punonin në vilat e tij në Republikën Domenikane dhe Bahamas në vitin 2021.

Njëra prej tyre, e identifikuar me pseudonimin Rebeca, tregoi se këngëtari e thërriste çdo natë në dhomën e tij dhe e abuzonte seksualisht pa dëshirën e saj, duke e bërë të ndihej si “skllave”. Gruaja tjetër, e quajtur Laura, pretendoi se Iglesias e kishte puthur me forcë dhe e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme.

Hetimi nxori në dritë edhe mënyrën e dyshimtë të rekrutimit të stafit, ku përmes reklamave në rrjetet sociale kërkoheshin vajza të reja, të cilat duhet të dërgonin foto me trup të plotë. Pasi punësoheshin, ato përballeshin me pyetje intime dhe kërkesa të papërshtatshme nga këngëtari.

Lajmi ka shkaktuar debate të forta politike në Spanjë.

/tvklan.al