Zhurmë e madhe rreth Nobelit për Paqe: Medalja i dhurohet Trumpit, kritika të forta nga Norvegjia
Reagime të forta kanë shpërthyer në Norvegji dhe në komunitetin akademik ndërkombëtar pasi u bë e ditur se presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar medaljen e Çmimit Nobel për Paqe, të cilën ia dorëzoi fituesja e këtij çmimi, udhëheqësja e opozitës venezueliane María Corina Machado, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Bloomberg.
Sipas raportimeve, medalja iu dorëzua Trumpit të enjten, në kuadër të një takimi privat, ndërsa veprimi u cilësua menjëherë si i paprecedentë dhe i papranueshëm nga zyrtarë, akademikë dhe ish-politikanë norvegjezë, transmeton IndeksOnline.
“Është krejtësisht e paimagjinueshme,” deklaroi për transmetuesin publik NRK Janne Haaland Matlary, profesoreshë në Universitetin e Oslos dhe ish-politikane. “Ky është një akt që përfaqëson mungesë të plotë respekti ndaj vetë Çmimit Nobel për Paqe,” shtoi ajo, duke e cilësuar veprimin si “të pakuptimtë” dhe “patetik”.

Donald Trump, i cili prej vitesh ka shprehur hapur ambicien për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, ka deklaruar se e meriton këtë vlerësim për shkak të rolit të tij në zgjidhjen e disa konflikteve ndërkombëtare gjatë mandatit të tij të dytë. Ai më herët ka kritikuar edhe vendimet e Komitetit Norvegjez të Nobelit, duke shprehur pakënaqësi për faktin që nuk është përzgjedhur si laureat.
Ndërkohë, Komiteti Norvegjez i Nobelit reagoi javën e kaluar duke rikujtuar se Çmimi Nobel për Paqe nuk mund të dhurohet, ndahet apo transferohet, duke theksuar se medalja dhe titulli i laureatit janë personalë dhe të panegociueshëm.
Machado, e cila është përjashtuar nga procesi i tranzicionit të pushtetit në Venezuelë që prej 3 janarit, pas rrëzimit të Nicolás Maduro-s nga forcat amerikane, por me regjimin e tij të mbetur në pushtet, tha se ia dorëzoi medaljen Trumpit si “një vlerësim për përkushtimin e tij të veçantë ndaj lirisë”.
Çmimi Nobel për Paqe konsiderohet si një nga vlerësimet më prestigjioze ndërkombëtare për përpjekjet diplomatike dhe paqeruajtëse. Ai është një nga pesë çmimet e themeluara sipas testamentit të Alfred Nobelit, shpikësit suedez të dinamitit, i cili vdiq në vitin 1896.
Reagime të ashpra erdhën edhe nga politika norvegjeze. “Ky është një veprim jashtëzakonisht i turpshëm dhe i dëmshëm për një nga çmimet më të njohura dhe më të rëndësishme në botë,” shkroi në Facebook Raymond Johansen, ish-kryetar i Bashkisë së Oslos nga Partia Laburiste. “Politizimi i skajshëm i këtij çmimi rrezikon të legjitimojë zhvillime që bien ndesh drejtpërdrejt me vetë idenë e paqes.”

